Rrjeti i Profesionistëve të Rinj

Artikuj investigativë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri

22 Nëntor, 2024
Aplikimi përfundon: Nëntor 30, 2024
Apliko tani
Afati i aplikimit
Nëntor 30, 2024

Përshkrimi i mundësisë

Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri (OCCRNA) hap thirrjen për të përzgjedhur katër gazetarë që të prodhojnë artikuj investigativë në sektorin e ndërtimeve në Shqipëri. Gazetarët e përzgjedhur do të mentorohen nga redaktorë me përvojë në gazetarinë investigative.

Kjo thirrje është pjesë e projektit që po zbatohet nga OCCRNA në kuadër të zbatimit të projektit “Promovojmë transparencën dhe luftojmë kulturën e pandëshkueshmërisë përmes raportimit investigativ”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).

Projekti synon të ekspozojë korrupsionin në sektorin e ndërtimit dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë shqiptare.

Katër gazetarë do të financohen dhe do t’u mbulohen shpenzimet për të kryer investigime lidhur me çështjet korruptive në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Secili gazetar do të ketë katër muaj kohë për të përfunduar investigimin dhe për përgatitjen e shkrimit për publikim.

Për çdo investigim gazetarët e përzgjedhur do të përfitojnë shumën prej 1350 USD (nga e cila zbritet taksa e të ardhurave personale) dhe do të kërkohet që të përfundojnë investigimin e tyre dhe ta përgatisin për publikim brenda tre muajve. Gazetarët fitues pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet e përcaktuara për investigimet, ku përfshihen: respektimi i standardeve të gazetarisë investigative si dhe kodit të etikës, konsultimet dhe takimet me redaktorin përgjegjës, publikimin e investigimit në portalin “shteg.org”.

Gazetarët aplikues pritet që të plotësojnë një propozim të detajuar i cili do të dërgohet në adresën e redaksisë SHTEG dhe do të vlerësohet nga një juri prej tre vetash, ekspertë në fushën e medias.

Gazetarët aplikues mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim do të përzgjidhet.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar pranë mediave të tjera apo në profesion të lirë. Pranohen edhe temat e realizuara nga grup gazetarësh, gjithsesi shuma totale për investigimin do të jetë po njësoj si të ishte një gazetar i vetëm.